Paradokse Kosovare

Ai që vjedh dy kilogramë hekur dënohet me dy vjet burg, kurse ai që keqpërdor miliona euro dënohet me dy vjet burg me kusht, por lihet i lirë (Nuhi Uka).

Shefi lihet të mbrohet në liri (Ukë Rugova), përderisa shoferi i tij mbahet në burg.

Denoncuesi i vrasjeve është i burgosur (Nazim Bllaca), ata që denoncoi ende janë të lirë.

Udhëheqësi i Njësisë Antikorrupsion, burgoset pikërisht për ushtrim të korrupsionit (Nazmi Mustafi).

Të akuzuarit e profileve të larta publike janë aq të “disiplinuar” sa të paraqiten në të gjitha seancat dëgjimore gjyqësore, por zhduken “pa gjurmë” kur atyre u shpallet dënimi (Leme Xhema, Xhabir Zharku…).  

Deputeti i Kuvendit të Kosovës është në listën e përfituesve të asistencës sociale si person me aftësi të kufizuara mendore në Zvicër (Azem Syla).

Misioni Ndërkombëtar për Sundimin e Ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dyshohet të jetë korruptuar dhe të ketë mbrojtur shkelësit më të mëdhen të ligjit. Tani nevojitet mision i ri monitorues për të monitoruar monitoruesit. 

Bashkimi Evropian, i cili përmes Raporteve të Progresit kritikon institucionet vendore për shkeljen e fjalës së lirë, shndërrohet edhe vetë në kërcënues të fjalës së lirë dhe gazetarisë hulumtuese (EULEX).

Përgjatë muajve që punëtorët e ish- Fabrikës së Tubave mbajnë grevë para Kuvendit dhe Qeverisë për të marrë kompensimet e tyre të fituara përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës marrim gjysmë milioni euro pa punuar as një ditë të plotë.

Nëse në institucione private shëndetësore kontrolli mjekësor ju zbulon ndonjë sëmundje, ju jeni me fat, ngase zyrtarisht jeni pjesë e garës për të fituar një automjet me kilometra zero-zero.

E nëse rastisni që të shkoni fillimisht në spitalet publike, juve ju ekzaminohet kuleta, e jo trupi.

Kryeministri mund të mos dijë numrin e saktë të zëvendësministrave në qeverinë e tij apo edhe të ua harrojë emrat në mbledhje të qeverisë, por dajën Curr e njeh shumë mirë.

Përfaqësuesi i të rinjve kosovarë synim kryesor ka imitimin e pushtetarëve “të vjetër” me xhip, shofer, rrogë të majme e armëmbajtje.

Akademia e Shkencës zgjedh një fjali të kryeministrit i cili ua ka mundësuar hapësirat e reja të punës si fjalinë më të mençur për ta përfaqësuar këtë institucion.

Në anën tjetër, kryeministri dhe liderët tjerë partiakë marrin vesh sinjalet diplomatike vetëm nëse ato përfshijnë terme si “dhierje”…

Një listë si kjo mund të jetë e pafund. Këto, e shumë e shumë tjera ndodhi si këto, e tregojnë më së miri nivelin e sundimit të ligjit dhe moralin në këtë vend.