Kur Matoshi dhe Nitaj tmerroheshin me numrin e madh të zv.ministrave

Kur Matoshi dhe Nitaj tmerroheshin me numrin e madh të zv.ministrave

Kishte qenë korriku i vitit 2014, kur Muharrem Nitaj dhe Halil Matoshi, dy gazetarë të njohur dhe me përvojë si mysafir të përhershëm në emisionin “Click” të RTV 21 analizonin numrin e madh të ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve e drejtorëve në Agjencitë shtetërore.

Nitaj dhe Matoshi atëkohë nuk ishin pjesë e asnjë partie por që më vonë, Nitaj në vitin 2015 e Matoshi në vitin 2017, iu bashkuan partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në atë kohë, Matoshi e quante skandaloze faktin sesi Qeveritë e drejtuara nga Hashim Thaçi dhe më pas edhe nga Isa Mustafa janë shndërruar në fabrika të punësimit të njerëzve partiak, raporton Insajderi.

“Aparati shtetëror ose Ministritë përkatëse, ose Agjencitë përkatëse shtetit në minifabrika ose fabrika ku punësojnë njerëz”, thoshte Matoshi në “Click”.

Madje sipas tij kjo formë e qeverisjes ishte sovjetike.

“Janë përdorë dy thjeshtë, dy shkolla, shkolla sovjetike, sovjetizuese mos të them sovjetike dhe shkolla perëndimore e aparatit shtetnorë”, thoshte Matoshi, raporton Insajderi.

Ndërsa Nitaj, e kritikonte mënyrën sesi Qeveritë në Kosovë kanë krijuar një model që është i bazuar mbi rahatimin e shumë njerëzve që kanë qenë pjesë e koalicioneve parazgjedhore dhe zgjedhore.

“Se aparati qeveritar në Republikën e Kosovës është i tmerrshëm në volum, kjo nuk ka dyshim”, thoshte Nitaj, raporton Insajderi.

Matoshi dhe Nitaj, tashmë janë pjesë e një Qeverie me 5 zëvendëskryeministra, numri i njëjtë me Qeveritë e kaluara, me 21 ministra që kapërcen numrin e ministrive të kaluara dhe 58 zëvendësministrave që është gati dyfishi i zv.ministrave në Qeveritë e kaluara.

Matoshi është zëdhënës i Qeverisë së Ramush Haradinaj ndërsa Nitaj është zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

As Matoshi e as Nitaj nuk kanë komentuar asgjë në lidhje me numrin e madh të zëvendësministrave, këshilltarëve dhe të punësuarve politik në Qeverinë të cilën bëjnë pjesë ata./Insajderi.com